PDA

View Full Version : Kompanitë që “nuk vënë gjumë në sy”…



Elton ILIRJANI
04.11.2011, 17:33
Jonida, një nënë e re, gjatë takimit që pati në zyrën time hodhi sytë te kalendari që kam pas shpine, ku mbaj të shënuara gjithë ditët pushim për festat zyrtare për këtë vit.

Jonida vazhdoi të më pyeste:

- A janë të gjitha firmat të informuara për këto ditë pushimi?

Unë u përgjigja se sipas Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë të gjitha firmat duhet të jenë në dijeni, dhe i shpjegova se këto data në firma të ndryshme ose janë pushim ose rimbursohen në vlerë monetare sipas një përllogaritje dhe kjo e përcaktuar në këtë kod. Por gjithmonë, i shpjegova, duhet pasur parasysh që orët maksimale të punës në një jave nuk duhet të kalohen kurrsesi…

Jonida më ndërpreu fjalën gjithë emocion dhe vazhdoi:

- Në krahun tjetër , firmat që “nuk vënë gjumë në sy” dhe që “mbajnë zgjuar” gjithë punonjësit, nuk i lejojnë as të pushojnë në festa zyrtare, që i nxjerrin në punë në ditë të shtunë dhe të dielë dhe që nuk i rimbursojnë në vlerë monetare, ndodh një “skllavërim i njerëzve në nevojë” që i mbajnë fort këto vende pune si “bibla papirusi” të fshehura në mendjet dhe zemrat e tyre të brengosura…Kjo nuk mbaron me kaq, pasi ata punojnë shumë herë më shumë se orari i lejuar javor, ditën dhe natën, në shi e në borë, ne diell e në erë…Në fund të fundit, ata janë duke ndërtuar “pramidat” prej balte të pseudo-sipërmarrësve tanë. Them “piramida”, pasi nuk kam pasur asnjëherë besim te shfrytëzimi i padrejtë, dhe sidomos te shfrytëzimi i padrejtë i fuqisë punëtore. Kam bindjen e palëkundur se pikërisht ato firma “që nuk vënë gjumë në sy” , përballen më shumë me probleme të komplikuara menaxhimi dhe probleme ekonomike, në krahasim me firmat apo bizneset që respektojnë Kodin e Punës.

Pas një ndërprerje të shkurtër duke hedhur sërish sytë e përvuajtur nga kalendari që nxiti këtë bisedë vazhdoi me zë më të lartë:

- “Piramida” të tilla, patjetër që janë sipërmarrje “të shkruara në rërë”, dhe fatkeqësisht janë burim mërzie për punonjësit dhe vetë-mashtrimi për sipërmarrësit…Këto firma nuk do shkojnë larg pasi stafi duhet të ndjehet i motivuar dhe i paguar për orët që kalon në punë, për atë festë që nuk e feston me fëmijët dhe të dashurit e vet! Për atë fundjavë që e kalon në punë pasi “shefi” ndjehet vetëm dhe i pavlefshëm pa hedhur shikimin e tij bosh mbi sytë e përvuajtur të vartësve të tij…

Jonida në fund pasi nxori një rezyme të zhubrosur nga çanta e saj e mbushur me shumë aksesorë dhe bukën që e merrte me vete çdo ditë në punë, vazhdoi të fliste me një ton më të ulët, por shumë të vendosur:

- Shfrytëzimi i fuqisë punëtore duhet të marrë fund! Shoqëritë e frustruara nuk shkojnë larg, përkundrazi kthehen në makina vrasëse për të gjithë, përfshirë edhe ata që i frustrojnë… Elton, unë jam në kërkim të një pune të re, ku të mund të kem kohë të shohë fëmijën tim, qoftë edhe një të shtunë… apo një ditë feste ku të mund ta nxjerr shëtitje dhe të kaloj një ditë me të. Shefi im duhet të kuptojë që kështu nuk vazhdohet…ndoshta ndërgjegjësohet pas largimit tim…

Për tek diskutimet mbi këtë tematikë klikoni http://www.njoftime.com/images/misc/linkedin.gif (http://lnkd.in/_UzmAY)