Shpesh, pas një të qeshure të shfrenuar, na thuhet se të qeshësh të bën vërtet mirë. Përse? Çfarë ndodh vërtet në momentet e euforisë? Po ua shpjegojmë më poshtë...




E qeshura, çfarë është?

Një batutë e lezetshme, një skenë komike dhe ja ku shpërthen një e qeshur e madhe. E qeshura ka efektin e një masazhi të vërtetë në trupin tonë. Kontraktimi i difragmës stimulon organe si mëlçia, stomaku apo zorët. Relakson muskujt e fytyrës, qafës, krahëve dhe barkut. Në tru hyn në veprim dopamina, një neurotransmetues në gjendje të gjenerojë një ndjesi kënaqësie. Reaksionet që shoqërojnë një të qeshur të mirë relaksojnë, sepse euforia bën që të bjerë tensioni. Një minutë të qeshurash të shfrenuara është i barabartë me 45 minuta relaksi: prandaj, të privoheshit prej tyre, do të ishte një gabim.

Të qeshësh për të lehtësuar dhimbjen
Prej disa vitesh tashmë, ky efekt pozitiv i së qeshurës është njohur edhe nga qarqet mjekësore. Në fakt, flitet gjithmonë e më shumë për të qeshurën terapeutike. Hormonet që çlirohen kur qeshim, na dinamizojnë në maksimum dhe zvogëlojnë ndjesinë e dhimbjes. Pra, e qeshura rrit pragun e dhimbjes.

Disa studiues pretendojnë gjithashtu se edhe e qeshura vepron në sistemin imunitar: sipas teorive të tyre, kur qeshim kundratrupat që ndodhen në pështymë rriten, ndaj dhe ne jemi më pak të ndjeshëm ndaj infeksioneve si ftohja, për shembull. Shumë studime kanë treguar se sensi i humorit dhe e qeshura, zvogëlojnë rrezikun për t`u prekur nga sëmundje kardiovaskulare, në veçanti nga infarkti. Përgjithësisht, specialistët janë të një mendjeje mbi faktin që e qeshura redukton stresin dhe tensionin. Që nga antikiteti, mjekët kanë rekomanduar gjithmonë që të qeshim të paktën dhjetë minuta në ditë për të pasur një shëndet të mirë. Kur në fakt, neve qeshim vetëm për rreth 60 sekonda në ditë. Po ti, sa minuta në ditë qesh?

Funksioni social i të qeshurës
Buzëqeshja shërben si një “zamkë” sociale e vërtetë. Nuk ka asgjë më ekspresive sesa e qeshura e kolegut tënd apo ajo e një të panjohuri në rrugë. Por në veçanti, e qeshura është një minierë informacionesh, qoftë për të shtrenjtit e tu, qoftë për ty vetë.

Për psikologët, është esenciale të dish të qeshësh me veten, të kujtosh gjithmonë se nuk mund të jemi perfekte. Të qeshim me gabimet tona na lejon që të ndihemi më komodë me veten dhe më pak të kontraktuar. Na shërben gjithashtu për të moderuar egon tonë herë pas here.

Qeshim të gjithë për gjëra të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme. Ka nga ato që qeshin me drojë, apo nga ata që buçasin nga të qeshurat. Të gjitha këto janë elemente që na tregojnë shumë rreth shijeve dhe simpative të secilit prej nesh. Humori i shëndetshëm gjeneron një klimë besimi dhe na lejon të çlirohemi nga të gjitha tensionet.

E qeshura këshillohet të konsumohet pa moderim, sepse, siç thotë edhe fjala e urtë: e qeshura, të shton jetën!


www.ladyalbania.al

Dashuri dhe përkujdesje për ju