Nëse ju punoni në zyrë dhe e keni të pamundur ta kaloni shtatzaninë në shtëpi apo të punoni nga shtëpia dhe nga ana tjetër shtatzania ju sjell shumë lodhje, dobësi fizike apo të vjella, Ladyalbania.al ju sjell në këtë artikull disa këshilla se si të jeni sa më efektive në punë duke u kujdesur njëkohësisht për një shtatzani sa më të shëndetshme.



1. Mos e fshihni nga kolektivi shtatzaninë tuaj. Le ta dijnë eprorët gjendjen tuaj dhe mos t’ju ngarkojnë me punë të tepërta që ju nuk mund ti realizoni në mënyrë cilësore apo në afatet e kërkuara për shkak të gjendjes suaj shëndetësore.
2. Flisni me eprorët tuaj që ndonjë nga kolegët tuaj tju ndihmojë apo zëvendësojë në kohën kur ju kryeni vizita te mjekët. Mos harroni të falenderoni ata që ju ndihmojnë dhe mësoni të delegoni punët, përndryshe rrezikoni të përfliteni nga kolegët si një punonjës që i bën bisht punës me pretekstin e gjendjes shëndetësore.
3. Trajtoni paraprakisht me eprorët tuaj problematikat që mund të lindin në të ardhmen si pasojë e shtatzanisë suaj, siç mund të jenë për shembull: një udhëtim I rëndësishëm pune I planifikuar më parë që ju nuk mund ta realizoni, mos respektimi I kodit të veshjes në mënyrë rigoroze si rrjedhojë e gjendjes suaj shëndetësore, apo nevoja për pushime të herëpashershme gjatë orarit të punës që mund tju nevojiten.
4. Pini ujë në mënyrë të vazhdueshme dhe kujdesuni që në tavolinën tuaj të punës të keni gjithmonë ujë, pasi etja mund të pengojë një përqëndrim normal në punë.
5. Sigurohuni që të keni një karrige komode pasi është shumë e rëndësishme për mirëqënien tuaj shëndetësore.
6. Nëse në punën tuaj qëndroni shumë në këmbë apo ju duhet të lëvizni shpesh, vishni këpucë të rehatshme dhe kujdesuni që herë pas herë të bëni pushime të shkurtra për të shplodhur këmbët.
7. Analizoni mirë mundësitë tuaja. Megjithëse eprorët mund të jenë treguar tolerant ndaj jush, kjo nuk do të thotë se ata do të pranojnë mosrealizimin e punës për shkak të shtatzanisë suaj. Mos harroni se në Kompani vlerësohet punonjësi që punon shumë e jo punonjësit që me vështirësi realizojnë detyrat thelbësore të ngarkuara. Prandaj tregoni kujdes që të planifikoni punët tuaja gjatë ditës dhe ti mbyllni detyrat në kohë, në mënyrë që të lini hapësira për vonesa apo leje kur është vërtetë e domosdoshme.
8. Mundohuni të shmangni presionet apo streset e punës. Nëse keni një rol drejtues në kompani, mos nxitoni të merrni vendime të menjëhershme, por jepini vetes kohën e duhur duke ruajtur një gjykim sa më të qetë.
9. Mësoni të luftoni streset duke kontrolluar frymëmarrjen tuaj. Merrni frymë thellë kur keni momente të vështira, pasi kjo do tju qetësojë në momente kur mund të jeni e nevrikosur.
10. Mos harroni për të drejtat tuaja sipas kodit të punës dhe ligjeve përkatëse. Ju nuk duhet të frikësoheni për humbjen e vendit të punës vetëm për faktin se jeni shtatzanë. Por nga ana tjetër mos abuzoni me këtë fakt, pasi punonjësit dembelë apo ata që mendojnë se të gjithë kanë detyrime ndaj tyre nuk pranohen as nga kolegët as nga eprorët.

***
Siç mund ta shihni nga artikulli që trajtuam, është plotësisht e mundur të alternosh punën dhe shtatzaninë dhe këtë e kanë vërtetuar shumë femra. Por gjithsesi ju zgjidhni variantin që ju mundëson të ndiheni e lumtur dhe e qetë, çka është edhe gjëja më e rëndësishme për një shtatzani të mbarë.



www.ladyalbania.al

Dashuri dhe përkujdesje për femrat