Nga Linda KALEMI


Profesoresha e aerobisë, Linda Kalemi shpjegon pasojat e një trupi i cili nuk është i tonifikuar. Si mund të veprojmë për të mbajtur trupin në formë

Vithet fillojnë të rrëshqasin nga jashtë, krahët varen ,faqet zbresin poshtë e nuk ka kozmetikë që ti mbulojë, barku lëshohet përpara. Këto janë disa nga pasojat e një trupi i cili nuk është i tonifikuar. Profesoresha e aerobisë dhe eksperte në fushën e estetikës, Linda Kalemi shpjegon për “Shëndet Plus” rreth rëndësisë së tonifikimit të trupit.

A kanë kulturë femrat shqiptare sa i takon mbajtëse së trupit në formë, tonifikimit?
Është përqindje e vogël e femrave që përpiqen të mbajnë trupin në formë nëpërmjet tonifikimit, ndërsa pjesa dërmuese përpiqen të mbajnë trupin në formë vetëm duke rënë në peshë, me mënyra të ndryshme, si; ecja, vrapi, dieta, etj. Mendojnë që është e mjaftueshme për pamjen e jashtme dhe mjaftohen me një veshje elegante, dhe kaq...Ndërsa kur janë në mjediset intime, me partnerët e tyre dhe duhet të zhvishen apo të ndërrohen, fikin dritat që të mos demostrohen para tyre; apo kur ai duhet ta përkëdheli në trup, ndjehen keq sepse mishrat janë të butë apo të varur. Ky është një shqetësim i vetë grave, të cilat e shprehin shpesh kur fillojnë palestrën. Pra, që të jesh në formë nuk mjafton vetëm të biesh në peshë, por edhe të tonifikohesh, sidomos për moshat mbi 40 vjeçe, bie në sy edhe shembja në fytyrë, gropa, hije, faqet varen ...etj , pra humbet freskia.

Cilat janë mënyrat më të mira që një femër duhet të tonifikojë trupin?
Mjafton 3 herë në javë palestër, ushtrime tonifikuese, asnjë krem, masazh apo makineri që përdoret nga persona të tjerë mbi një trup që nuk tonifikon; këtë e bën vetëm aktivizimi i muskujve të brendshëm të cilat i komandon dhe i vë në lëvizje vetë personi. Asnjë faktor nga jashtë nuk mund ta kryejë këtë funksion. Metoda më e mirë për tonifikim është programi i fundit bashkëkohor pilates, me ushtrime statike, që bëhen kudo e kurdo, në zyrë, shkollë shtëpi, terrenet jashtë etj.

Për të tonifikuar barkun apo vithet me pilates nuk ka nevojë të jesh i lidhur me palestrat, sepse mund t’i shtrëngosh edhe gjatë punës, ulur në tryezë, shkollë, shtëpi ose edhe gjatë qëndrimeve në këmbë, etj. Pra, në një farë mënyre, palestrën e keni me vehte kudo e kurdo. A ka me mirë se kjo?

Nga cila moshë duhet të fillojnë ushtrimet për tonifikimin e trupit?
Ushtrimet e tonifikimit fillojnë në rini, rreth moshës 18 vjeç, para se të fillojnë problemet. Parandalohet varja e lëshimi i trupit që ndodh kur pesha lëviz dhe lëkura humb elasticitetin, sepse në përgjithësi nuk e vlerësojnë këtë faktor. Femrat në përgjithësi vijnë për tonifikim pasi problemi është shfaqur, tepër vonë dhe është më vështirë ta korigjosh; më thjeshtë, po ju sugjeroj një mënyrë tepër praktike për të pasur vithe të forta: Gjatë kohës që qëndroni në këmbë, paralelisht shtrëngoni vithet fort në brendësi derisa t’i ndjeni që afrohen drejt njera-tjetrës për disa sekonda: Bëjeni disa herë në ditë, e për pak ditë do të shihni që vithet tuaja kanë pësuar një ndryshim tepër të dukshëm. Kështu ia vlen ta bësh vetë pa shpenzuar gjë.

A ka pasoja dhe si transformohet trupi i femrës nëse nuk punohet për tonifikimin e trupit?
Shumë e thjeshtë, - vithet fillojnë të rrëshqasin nga jashtë, krahët varen dhe jemi të detyruara të dënohemi vetëm duke përdorur mëngë të gjata: Faqet zbresin poshtë e nuk ka kozmetikë që ti mbulojë: barku lëshohet përpara, sigurisht që humbasim shansin të shëtisim buzë detit me kostum banjo e kështu nuk ka më keq për një femër. Nëse doni ndonjë këshillë: Të jesh në formë është një sakrificë, do punë e durim; - mendimi që të arrij gjithçka pa u lodhur është të mashtrojmë vehten. E deri kur do vazhdojë kjo? Kujt ia hodhëm ? - “Vetes sonë “. Uroj të jem kuptuar e t’ju kem shërbyer sadopak. Dëshironi zgjidhje të shpejtë? Pa hezituar, të gjithë grupmoshat, ejani ta provoni! Do t’iu tregoj se si mund të fitoni formën e të kuroheni për pak kohë e pa u lodhur.


www.ladyalbania.al

Dashuri dhe përkujdesje për femrat