Shumë femra marrin masa duke kursyer para për ditët e vështira. Por kjo nuk është gjithmonë kaq e thjeshtë, sidomos në kohët e krizës ekononike. Në këtë artikull Ladyalbania.al ju sjell disa këshilla në trajtën e hapave praktike se si të mund të menaxhoni të ardhurat dhe shpenzimet për veten dhe familjen tuaj.

Fondi i emergjencës
Mos i tregoni askujt për këtë fond, madje as njerëzve tuaj më të afërt, siç mund të jenë partneri apo bashkëshorti, prindërit, fëmijët, apo shoqja juaj e ngushtë. Ky do të jetë një fond juaji i emergjencës, veçmas kursimeve tuaja familjare. Bëni kujdes që mos ti shpenzoni këto kursime për asnjë arsye, përveç rasteve emergjente, siç mund të jetë një trajtim i domosdoshëm mjekësor apo një kredi e vështirë që kërkon likujdim të menjëhershëm.

Kontrollimi i vazhdueshëm i shpenzimeve
Një nga mënyrat më efikase të të kyrsyerit për femrat është mbajtja e shënimeve për shpenzimet e kryera. Duke marrë parasysh se ju mund të merreni me blerjet e shtëpisë apo me blerjet e sendeve të ndryshme, shpenzimet të cilat mund të harrohen shpejt, është e këshillueshme të mbani një bllok të veçantë për shpenzimet. Në këtë mënyrë ju do të evidentoni në kohë shpenzimet e tepërta dhe do të mund të kontrolloni që blerjet mos të tejkalojnë limitet tuaja të buxheteve.

Investimet
Nëse keni një punë dhe të ardhura të qëndrueshme, është mirë që të mendoni se si ti zhvilloni ato. Është e nevojshme që ju të kryeni një investim për të pasur një të ardhme më të sigurt. Tregohuni shumë e kujdesshme në investim dhe patjetër këshillohuni me ekspertët e fushës apo me njerëzit tuaj të afërt.

Kërkoni oferta
Të kërkosh oferta nuk do të thotë patjetër të blesh produkte të lira apo jo cilësore, por do të totë të blesh produkte dhe shërbime me leverdi nga ana ekonomike. Gjeni momentin dhe vendin e duhur për blerjet tuaja, duke kërkuar më parë tregun dhe ofertat e ndryshme dhe do të shihni se sa shumë mund të kurseni.

Vazhdoni përpjekjet
Suksesi i menaxhimit të financave personale qëndron tek vazhdimësia e kursimeve. Nëse shihni se pas shumë përpjekjeve ju ende nuk mund të kurseni mjaftueshëm, nuk duhet të dorëzoheni, por të kërkoni mënyra të reja kursimi. Nëse keni arritur të krijoni një depozitë kursimesh, atëherë kjo duhet tju inkurajojë për të vazhduar edhe më tej.

* Mos harroni se paratë e kursyera janë para të fituara. Çdo gjë varet nga dëshira dhe vullneti juaj, pavarësisht të gjitha vështirësive që mund të hasni rrugës. Nëse ju doni të kurseni, atëherë patjetër që do të arrini të kurseni. Përsa i përket vlerave tuaja të depozitës së kursimit , kjo varet nga strategjitë që zgjidhni dhe kompromiset tuaja me veten dhe stilin tuaj të jetesës



www.ladyalbania.al

Dashuri dhe përkujdesje për femrat