Nga: Eglantina NIKOLLAJ

Psikologia, Eglantina Nikollaj shpjegon mënyrën më të mirë se si duhet tia transmetojnë fëmijës dramën familjare që po kalojnë.


Janë një sërë faktorësh nga të cilat varet kundërpërgjigja e fëmijës ndaj divorcit të prindërve të tij. Së pari varet nga vetë temperamenti i tij. Ata që janë natyra më sensibël dhe të ndjeshme janë të prirur ta vuajnë më tepër jetesën vetëm me njërin prind. Është e rëndësishme mënyra se si janë zhvilluar etapat e ndarjes. Nëse ato kanë pasur mungese komunikimi dhe konflikt, atëherë fëmija e ka më të vështirë ta përballojë. Ndarja është një e papritur e hidhur që nuk do të kalojë pa lënë gjurmë në jetën e tij. Por në gjithë këtë situatë, është shumë e rëndësishme mënyra e komunikimit dhe mënyra se si prindi i transmeton fëmijës situatën familjare. Fëmija duhet të dijë gjithmonë të vërtetën, në cfarëdo moshe të jetë. E vërteta është në duart e prindërve, dhe varet nga ata se sa të zotë do të jenë për tia transmetuar fëmijës, pa i dëmtuar psikikën.

Prindi nuk mund ti thotë fëmijës: “Ne do të ndahemi, sepse nëna (apo babai) më ka tradhëtuar”, apo fraza të tjera ku burrë e grua akuzojnë njëri-tjetrin për mungesë përgjegjësie në familje. Gjithashtu ata duhet të evitojne fraza të tilla si “ ne nuk duhemi më”. Kjo do ti shkaktonte një traumë të fortë psikologjike fëmijës. Deri në ato momente ai kishte ndërtuar në imagjinatën e tij një kështjellë të fortifikuar për sa i përket dashurisë prindërore. Nëse i thuhet kjo, atëherë ai do të nisë dhe të mendojë për veten, sikur e gjithë kjo kështjellë po i shembet. Ai mund të mendojë se përderisa i ati nuk e do më nënën e tij, atëherë ka shumë të ngjarë të mos e dojë më edhe atë.

Format e komunikimit
Format më të mira të komunikimit janë kur fëmija e mëson të vërtetën nga të dy prindërit së bashku. Nuk është mirë që fëmija ta mesojë ndarjen një herë nga e ëma dhe një herë tjetër nga i ati. Është e këshillueshme që prindërit në mënyrë të kujdeshme të flasin me fëmijën dhe ti tregojnë të vërtetën duke përdorur fraza dhe teknika sa më të kujdesshme si psh: babi dhe mami kanë vendosur të mos jetojmë më së bashku. Kjo është gjëja më e mirë jo vetëm për ne të dy, por edhe për ty.

Është e këshillueshme gjithashtu të evitohen fraza të tilla si: babi dhe mami do te ndahen sepse nuk e duan më njëri tjetrin”. Në vend të saj kësaj fraze, do të ishte më mirë që të dy prindërit ti tregojnë më cdo mënyrë fëmijës se dashuria karshi tij do të jetë e njejtë dhe ai nuk do të jetë për asnjë moment larg vëmendjes së tyre. “Ne kemi vendosur te mos jetojnë më sëbashku, por ne do të të duam njësoj”. Kjo do të ishte një tjetër frazë që mund të përdoret me fëmijën në momentin kur prindërit vendosi ti rrëfejnë atij të vërtetën e marrëedhënies së tyre. Është shumë e rëndësishme që në komunikim ata të jenë të saktë dhe të prerë. Shpesh fëmijët mund të tentojnë nëpërmjet shumë mënyrave demostrative për të mos lejuar ndarjen. Por ata duhet ta bindin fëmijën se pajtimi mes tyre është i pamundur dhe ti bëjnë atij të qartë se në të gjithë këtë histori, nuk është ai fajtor. Në mjaft raste fëmijët ndihen fajtorë për ndarjen e prindërve dhe e përjetojnë mjaft rëndë këtë ndjesi. Sa më kujdeshëm ti tregohet kjo situatë, aq më e lehtë do të jetë për fëmijën që të përballojë ndarjen e prindërve të tij dhe të distancohet nga vetëfajësmimi për këtë ndodhi.

Prindërit emigrantë
Nga praktika e punës si eksperte e vlerësimeve psikologjike në Gjykatën e Tiranës, një ndër rastet kur fëmijët e përjetojnë më rëndë ndarjen e prindërve është kur njëri prej tyre, përgjithësisht babai, është emigrant. Bashkangjitur rekomandimit të psikologut për takime sa më të shpeshta të fëmijës me prindin që nuk i lihet kujdestaria, gjykata vendos takime përgjithësisht cdo fundjavë ose fundjavën e parë dhe të tretë të cdo muaji. Duhet të kemi parasysh se është shumë e rëndësishme prezenca sa më e madhe e secilit prej prindërve në jetën fëmijës pasi kjo ndikon në formimin e personalitetit të tij, por edhe në elementë të tjerë të rëndësishëm në procesin e rritjes dhe të edukimit. Në rastet kur njëri prind jeton jashtë Shqipërisë, (kryesisht babai) atëherë më e shumta e takimit të fëmijës me të atin realizohet vetëm dy herë në vit ( për të mos thënë edhe më rrallë). Mungesa e prezencës së babait në procesin e rritjes dhe të edukimit, është një faktor që ndikon ndjeshëm në psikologjinë dhe personalitetin e fëmijës. Në mjaft raste, fëmijët ndihen të braktisur dhe të vetmuar. Ata janë agresive ndaj nënës e cila në jo pak raste mundohet të zëvendësojë figurën e babait në familje.


www.ladyalbania.al

Dashuri dhe përkujdesje për femrat