PDA

View Full Version : Masakra e referencave….



Elton ILIRJANI
10.11.2011, 23:02
{ Përpunimi i ligjshëm i të dhënave personale bëhet duke respektuar dhe garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe, në veçanti, të drejtën e ruajtjes së jetës private.
1. “Të dhëna personale” është çdo informacion për një person fizik, i cili është i identifikuar ose i identifikueshëm. Elementet, me të cilat realizohet identifikimi i një personi, drejtpërdrejt apo tërthorazi, janë numrat e identitetit ose faktorë të tjerë të veçantë fizikë, psikologjikë, ekonomikë, socialë, kulturorë etj.
2. “Të dhëna sensitive” është çdo informacion për personin fizik, që ka të bëjë me origjinën e tij racore ose etnike, mendimet politike, anëtarësimin në sindikata, besimin fetar apo filozofik, dënimin penal, si dhe të dhëna për shëndetin dhe jetën seksuale. } - Ligji për mbrotjen e të dhënave personale në Republikën e Shqipërisë.

Një ligj i miratuar në daten 10 Mars 2008 në Kuvendin e Shqipërisë, një ligj që shkelet nga të gjithë ne, në punë dhe në jetën e përditshme…

Të famshmet “referenca” që na shoqërojnë shumë në punën tonë të përditshme, sidomos në fushën e burimeve njerëzore, ku është bërë e rrugës të thuhet: “më merr një referencë për X dhe Y kandidat te kompanitë ku kanë punuar më parë…”.
E imagjinoni se sa e lehtë është të marrësh një referencë për një kandidat në Shqiperi? Askush nuk mendon se kjo është në shkelje të ligjit, askush nuk mendon se edhe nëse ke vendosur të marrësh referencë për një kandidat në një kompani të caktuar duhet më parë të marrësh aprovimin me shkrim nga kandidati që ta lejon apo jo këtë “sipërmarrje”. Edhe në rastet kur ata ta lejojnë nga “e keqja” se nuk kanë tjetër rrugëzgjidhje se u duhet ajo punë e “mallkuar”, topi mbetet në dorën e firmës “referencëdhënëse” që nuk ia lejon ligji të japë referencë denigruese për asnjë nga ish-punonjësit e vet…

Masakër referencash, masakër e pandalshme referencash jo-profesionale…luftë e pandalshme denigruese për ish-punonjës dhe punonjës të cilët duan të investojnë në karrierën e tyre.
“Pafytyrësi shumëdimensionale” e referencëdhënësve, që pasi kanë vjellë vrerë, të telefonojnë dhe të thonë: “fola fjalët më të mira për ty…”

E gjithë referencëdhënia shqiptare është një “zgjidhje-kubi” që ka numër tek ngjyrash dhe pangjyrësi në duart që e luajnë atë…

Nuk çuditem pse një numër gjithnjë e në rritje i punëkërkuesve po klasifikohen:
hajdutë, mashtrues, të paaftë, maniakë seksualë, demokratë, socialistë, Enveristë, Zogistë, gay, trafikantë, narkotikë, të sëmurë .. etj…
Sipas sistemit të referencëdhënies dhe referencëmarrjes, askush nuk është i denjë të punojë…dhe papunësia rritet dhe buzëqeshjet e shtirura përcjellin kandidatët e lodhur nëpër intervista të kota…

Fjalët janë të tepërta! Referencëdhënia dhe referencëpritja është një masakër që është në zhvillim e sipër…duhet më tepër profesionalitet dhe respekt për të drejtat e njeriut nga të gjithë ne, të paktën të lexojmë pak më tepër…

Për tek diskutimet mbi këtë tematikë klikoni http://www.njoftime.com/images/misc/linkedin.gif (http://lnkd.in/3DE9ET)