PDA

View Full Version : “Dhënësit” dhe “Mbledhësit” e kredive të këqia…



Elton ILIRJANI
02.11.2011, 17:20
Kreditë e këqia janë kthyer në një makth për sistemin bankar dhe gjithe jetën ekonomike në Shqipëri. Çuditërisht ky fakt ose nuk mbulohet sa duhet në media, ose nuk përflitet qëllimisht, ose nuk dihet aq sa duhet, ose në rastin më të keq gjithë sistemi ende është shumë fëminor kur vjen puna te kjo çështje ekonomike që ndoshta është ende në fazat e para në vendin tonë dhe ka ende shumë punë për tu bërë…

Gjatë takimit që pata me Znj. Alma, e cila vjen nga një eksperiencë 23 vjeçare në sistemin bankar ngela edhe më i suprizuar. Në fakt këtë temë mund ta trajtoj vetëm nga ana e Burimeve Njerëzore dhe atë që mund të bëjmë nga ky këndvështrim. Alma më solli disa shifra ku në disa degë të bankës X ku ajo punonte për një kohë të gjatë shifrat e kredive të këqia arrinin duke filluar nga 23% e deri në 43 % në disa raste, ku dhe i ishte dashur të ndërhynte por pa sukses.
Nuk mendoj se jam në gjendje të shpjegoj se çfarë është një “kredi e keqe”, por u fokusova te arsyet njerëzore pse ndodhte kjo…

Në çdo bankë të nivelit të dytë janë dy pozicione të rëndësishme që merren drejtpërdrejt me kredinë; pozicioni i “Oficerëve të kredisë” dhe pozicioni i “mbledhësve të kredisë”. Alma më shpjegoi në detaje se këto dy “pozicione” janë shumë të rëndësishme për çdo bankë kur vjen puna te çështjet e kredisë dhe menaxhimin e tyre. “Oficerët e kredisë” janë përgjegjës per vlerësimin e dhënies së një kredie dhe në këtë rast ata duhet të sigurohen që kredia që po shqyrtojnë duhet të mbart sa më pak “risk” që të jetë e mundur. “Mbledhësit e kredisë” janë ata që merren me ecurinë e kredisë dhe mbledhjen e saj në kohë dhe sipas kontratave përkatëse. Të dyja këto pozicione përfitojnë edhe sistem bonus nga punëdhënësit e tyre… si “dhënësit” ashtu edhe “mbledhësit”. Pak kontradiktore në pamje të parë por aspak nëse këto pozicione drejtohen nga njerëz të aftë, me integritet, dhe ekonomistë mjaftueshëm të zotë që të kuptojnë në detaje gjithë këtë proçes dhe ta shohin atë të plotë… Në rastin e “mbledhësit” bonuset mujore apo vjetore janë lehtësisht më të kuptueshme pasi këtu fillon edhe jeta e një kredie, qoftë e “mirë” apo e “keqe”… “Dhënësi” patjetër që duhet të nxitet me një sistem bonusi, por ky sistem do ishte mirë të fillohej të aplikohej gradualisht në bazë te ecurisë së “mbledhjes” së kredisë, ose të “miratohej” me dhënien e kredisë dhe të “jepej de facto” në hapat e mëtejshëm të jetës së kredisë.

Lind natyrshëm pyetja: A qëndrojnë “dhënësit” dhe “mbledhësit" gjatë në këto banka?!

Një kredi mund të zgjasë 20 apo 25 vjet, dhe të them të drejtën janë shumë të rralla rastet kur këta “dhënës” dhe “mbledhës” kredish qëndrojnë më shumë se 5 vitet e para të jetës së një kredie. E dhimbshme por e vërtetë…e dhimbshme në rradhë të parë për karrierat e tyre dhe në rradhë të dytë për punëdhënësin dhe për ekonominë e vendit në tërësi…

Bankat e nivelit të dytë janë në një luftë të pandalshme me njëra-tjetrën për të “rrëmbyer” punonjës, dhe në grumbullin e njerëzve që qarkullojnë nga banka në bankë janë edhe personazhet tanë “dhënësit” dhe “mbledhësit”. Vetë bankat, dhe në disa raste edhe me “headhunters” të kompanive rekrutuese, përcjellin këtë fluks të pandalshëm dhe të pamenduar të grupit të personazheve të shkrimit tonë. Ato që mbeten në një bankë X apo Y janë kreditë e “mira” dhe ato të “këqia”. Personalisht, mendoj se si “dhënësit” ashtu dhe “mbledhësit” duhet të qëndrojnë gjatë në një bankë, aq sa zgjasin kreditë që ata menaxhojnë…e vështire por e vetmja rrugëzgjidhje…

Kreditë e “këqia” është fakt që po shtohen dita ditës. Arsyet janë të shumta. Në shumë raste përveç kostos se krizës ekonomike, këto kredi të “këqia” janë dhënë nga “dhënës” jo fort profesional dhe me integritet të cunguar…

Si mund ti ndalim këta “dhënës” problematikë e pa integritet të kalojnë në banka të tjera pa marrë përsipër përgjegjësinë e kredive të “këqia” dhe
si mund ti mbajmë “dhënësit” profesionalë gjatë në një bankë?
Si mund të bëjmë të njëjtën gjë edhe me “mbledhësit”?

Deri tani është bërë shumë pak në këtë drejtim! Bankat dhe kompanitë e rekrutimit këto raste duhet ti shikojnë me shumë kujdes pasi këto rekrutime janë shumë delikate. Unë do propozoja që “dhënësit” dhe “mbledhësit” duhet të trajtohen ndryshe me status të veçantë dhe me kontrata specifike. Duhet të ndalim këtë percjellje jo-profesionale dhe të dëmshme për ne dhe ekonominë e vendit tonë…

Për tek diskutimet mbi këtë tematikë klikoni http://www.njoftime.com/images/misc/linkedin.gif (http://lnkd.in/Zskavr)