PDA

View Full Version : Mosdeklarimi i pagës dhe PO-të e dhimbshme....



Elton ILIRJANI
31.05.2012, 09:05
Ishte e premte pasdite, duke pritur intervistën e fundit me përmbledhjen e kandidatit të mëparshëm në duar, po mendoja për fundjavën dhe ditët me shi që do kaloja duke lexuar "The New Yorker" mbi planin e shumëpërfolur të hapjeve të vendeve të punës në SHBA nga Barack Obama. Shpesh më duket sikur jetojmë shumë larg në çdo aspekt jetësor me këtë vend ëndrrash...

U dëgjua zilja e derës dhe vrapova ta hap. Para meje u shfaq Armando, një i ri që do ta intervistoja për pozicionin e shitjeve në terren për një firmë të mesme. U përshëndetëm dhe Armando zuri vend para meje. Dukej i stresuar dhe i lodhur pasi kishte ecur shumë për të mbërritur në kohë nga një lagje periferike e Tiranës. Si gjithnjë, i ofrova një çaj të ngrohtë...Gjatë gjithë intervistës nuk i'u ndava syve të tij gjithë energji dhe kërshëri për të mësuar më shumë për të rejat. Ishte intervista përfundimtare, në fakt do ti bëja ofertën e punës që kisha marrë nga firma. Armando ishte përzgjedhur për pozicionin dhe kur ia komunikova këtë fakt, e gjithë fytyra e tij u kthye në një diell të fortë... Më falenderoi, dhe lëvizi në karrige sikur donte të hidhej nga gëzimi mbi tavolinë, aq sa edhe unë për një moment mendova se ishim në një tavolinë "black jack" dhe sapo kishim fituar një dorë të mirë...por ajo që më bënte të rrija i tërhequr ishte se Armando ende nuk e dinte që firma nuk do ti paguante sigurimet shoqërore dhe shëndetësore si dhe paga linte shumë për të dëshiruar...Në fillim mendova ti flas për pagën, dhe atë çast nuk e ndjeva më ngrohtësinë e diellit të energjisë së pak çasteve të mëparshme. Përveç ngrysjes së lehtë të ballit dhe duarve që i fërkonte ngadalë me njëra-tjetrën në lëvizje të lirë vura re buzët e tij që filluan të lëvizin dhe të më pyesin për deklarimin e pagës së tij. Nuk dija çfarë të bëja dhe fillova të flisja ngadalë dhe ti komunikoja se firma nuk kishte marrë përsipër deklarimin e pagës...prita shumë pak sekonda dhe vazhdova duke thënë se tashmë ishte i rëndësishëm vendimi i tij nëse do e pranonte këtë ofertë apo jo.

Heshtja vazhdoi edhe për pak minuta dhe Armando me tha PO... ishte një PO që më dhembi shumë dhe një PO fyese...një PO fyese për mua, pasi mu duk vetja hipokriti i fshehur pas xhamit të një portreti idiot... gjithsesi prita...Më në fund Armando me një zë që dridhej pak, më tha se nuk kishte rrugë tjetër dhe duhej ta pranonte. Dhe më tha përsëri atë PO te dhimbshme, atë PO qe më bëri përsëri të ndjehem keq...Ishte PO e detyruar, PO e lidhur pas duarve të çara nga të ftohtët...

Për një moment mendova se ose duhej të ikja nga salla me PO-në e dhimbshme dhe me xhamin e portretit idiot me vete ose te kthehesha dhe ti thosha duke bëritur JO, atë JO-në që vërtet doja të dëgjoja...Mora guximin tim, që im at e quante "udhëtimin tim shpirtëror", dhe i thashë:
- Armando, ti nuk duhet të pranosh! Unë kam për ty një pozicion tjetër më të paguar dhe që paguhen të gjitha sigurimet shoqërore dhe shëndetësore...thuaj JO, dhe vazhdojmë aplikimin tjetër! Mos ki merak të ndihmoj unë, të premtoj!
Armando më pa me sy të habitur dhe më tha:
- Je i sigurtë? A mund të më ndihmosh? Kam nevojë për një punë pasi babai më ka vdekur para 1 viti dhe kam në shtëpi dy motra më të vogla dhe nënën të papunë...Kam nevojë për një punë dhe ndoshta do më duhet të pranojë këtë ofertë në këto kushte... si thua...je i sigurtë? Kam frikë se do ngelem pa punë...
Nuk e lashë të flistë më gjatë, në histerinë e dëshirës sime për ta ndihmuar brenda pak ditësh, i gjeta një punë shumë më të mirë dhe që deklarohej paga 100% sipas kodit të punës të RSH, në një firmë të huaj.

Ditën e parë të punës e shoqërova personalisht te firma. Ishte bukur të shihje mungesën e rrudhosjes të atij balli të ri... ishte një zgjim nga ajo PO e dhimbshme...nga ai xham i atij portreti idiot...Vazhdoj të pyes veten përse disa firma shqiptare nuk i paguajnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për punonjësit e tyre? Përse ka ende Menaxherë Burimesh Njerëzore që mund të firmosin atë bordero te ajërt dhe të dhimbshme? Përse ka ende shefa kompanish që mashtrojnë shtetin dhe marrin nëpërkëmbë jetët e të rinjve dhe i mësojnë ata të mashtrojnë? Përse të rinjtë shqiptar thonë atë PO-në e dhimbshme dhe nuk reagojnë?

Paga e çdo qytetari duhet të deklarohet e plotë!

Mjaft më me mashtrime dhe nëpërkëmbje njerëzish në nevojë...

Për tek diskutimet mbi këtë tematikë klikoni http://www.njoftime.com/images/misc/linkedin.gif (http://lnkd.in/AsqEMe)