PDA

View Full Version : Konsulenca e karrierës



Elton ILIRJANI
23.04.2012, 20:45
Konsulenca e karrierës

Gjithmonë më ka shoqëruar një pyetje që vazhdimisht i jam përgjigjur në mënyra të ndryshme:
Nëse gjatë karrierës sonë do kishim nevojë për një konsulencë karriere?

Në tregun aktual të punës ka shumë problematika dhe disa prej tyre kanë një kohë të gjatë që kërkojnë zgjidhje.
Disa prej tyre kanë lidhje të drejtpërdrejtë dhe janë të prekshme në atë që përfitojmë në fundin e një muaji pune në kompanitë në maturim e sipër.
Nëse atë fund muaji, do të arrijmë të përballojmë faturën gjithnjë e në rritje të shpenzimeve të domosdoshme për një jetë cilësore,
nëse do të krenohemi për gjithçka të arritur profesionalisht,
nëse ajo vlerësohet ashtu si duhet... Problematikat janë të ndryshme dhe vështirësitë gjithnjë e në rritje.

Në kuadrin e intervistave të shumta të zhvilluara me kandidatë të ndryshëm gjatë punës time në fushën e burimeve njerëzore më është forcuar ideja se në këtë aktualitet dinamik dhe të paparashikueshëm do të ishte shumë e nevojshme konsulenca e karrierës.
Dikush mund të mendojë se kjo konsulencë jepet dhe merret në situata dhe kompani të ndryshme.
Personalisht ,mendoj se ende nuk kemi bërë aq sa duhet në këtë drejtim.
Kjo kuptohet lehtësisht gjatë takimeve që kryej me kandidatë të niveleve të ndryshme.
Kandidatët që janë në kërkim të një pune në Shqipëri janë të pamotivuar të besojnë se një aplikim në një kompani do të merret seriozisht nga personat përgjegjës.
Madje disa prej kandidatëve mendojnë se ata nuk do konsiderohen fare, pasi e gjithë kjo është një farsë dhe pozicioni vakant ka kohë që është mbyllur, dhe se ky proçes është thjesht një proçedurë për të zhgaravitur rreshtat e proçedurave të hartuara vetëm e vetëm për të pasur disa dosje më shumë në kompanitë në zhvillim të tregut tonë.
Guxoj të them që kjo është e vërtetë në disa raste dhe jo e vërtetë në një pjesë tjetër të rasteve...Kaosi i këtij proçesi është shumë dimensional dhe i pazgjidhshëm në disa raste.
Do të duhet shumë punë dhe mund nga të dyja palët që ky proçes të kthehet i besueshëm dhe të gjithë të analizojnë arsyet e mos përzgjedhjes apo të zgjedhjes.
Në artikujt në vijim, ne do të përpiqemi të sjellim shumë problematika reale që hasen gjatë këtij rrugëtimi dhe besoj shumë në sqarimin e disa pyetjeve që na shqetësojnë.

Pashmangshmërisht, në jetën tonë ne përballemi me nevojën për t'u konsultuar me avokatin, për t'u vizituar te mjeku i familjes apo mjeku personal, per të vizituar dentistin periodikisht, për të frekuentuar parukierin apo parukieren.
Në disa raste për të marrë disa këshilla edhe nga stilistë të ndryshëm se çfarë mund të na përshtatej më shumë për veshje të sezoneve të ndryshme.
Shpenzojmë kohë me psikologun për situata të vështira gjatë jetës dhe për një mendim më të qartë rreth situatave të ndryshme që kërkojnë mendje të ftohtë dhe të kthjellët.
Vazhdimisht flasim me miqtë tanë për situata të ndryshme gjatë ditës së punës, për të konsultuar me ta strategji të ndryshme në hapat që mendojmë të hedhim në karrierën tonë.
Shpenzojmë konsiderueshëm në arsimim dhe kurse të ndryshme për të rritur bagazhin tonë të njohurive, por gjithmonë harrojmë se në fund të të gjitha përpjekjeve do na ndihmonte shumë edhe konsulenti i karrierës.
Në tregun tonë të punës konsulenca e karrierës është shumë e nevojshme. Deri tani kjo konsulencë është pretenduar të mjaftohet në disa raste me mundësitë që ofrojnë kompanitë e punësimit, ndërkohë që gama e këtij shërbimi është shumë e larmishme dhe nuk ka një fillim dhe fund gjatë gjithë karrierës sonë.
Konsulenti i duhur i karrierës do të ishte më shumë se një mundësi punësimi në një kompani rekrutimi dhe kjo konsulencë duhet të fillojë që në hapat e para të karrierës në dy vitet e fundit të studimit.
Ky proçes fillon që me artikulimin e rreshtave të parë të rezymesë dhe vazhdon me taktikat e intervistimit dhe vendosjeve të lidhjeve të forta me aktorët kyç në fushat përkatëse në të cilat mendojmë të investojmë gjatë karrierës.
Edhe në rastet kur dikush ka konsiderueshëm vite në tregun e punës, është e nevojshme kjo konsulencë për të hedhur një hap të caktuar,
p.sh. nëse një kandidat vjen nga një periudhë e gjatë në një kompani të madhe dhe papritur gjendet përballë një oferte të re nga një kompani e re dhe me perspektivë në fushë të njëjtë me kompaninë e mëparshme, duhet të ketë parasysh shumë gjëra para se të vendos lëvizjen drejt kompanisë që i ka bërë ofertën.
Në disa raste unë jam ndodhur para situatash shumë të sikletshme ku këto lëvizje të pamenduara kanë rezultuar fatale për persona me shumë eksperiencë vetëm dhe vetëm se ata kanë ecur në terren jo të sigurtë, sepse i kanë besuar instiktit të tyre apo të të tjerëve që nuk janë profesionistë në këtë fushë.
Ky është shembull i qartë i rëndësisë së një konsulenti karriere, që në këtë rast do të evitonte këtë lëvizje pa u përfshirë nga subjektivizmi i dikujt që nuk ka njohuritë apo taktikat e gjuetisë së një pune, duke marrë në konsideratë të gjitha rreziqet që mund të përballen.
Si rezultat kandidati X që braktisi kompaninë Z pas 15 vite eksperiencë të suksesshme për kompaninë e re në treg Y rezultoi që u dorëhoq nga kjo nismë në muajin e 3-të të punës.
Cilat ishin arsyet?
Të shumta!
Por ajo që kishte më shumë rëndësi ishte se ky kandidat nuk kishte analizuar me kujdes situatën e burimeve njerëzore në kompaninë Y.
Nuk mendonte dhe askush nuk ia kishte sjellë në vëmendje jo-profesionalizmin dhe jo-strukturimin e kompanisë së re që më pas rezultoi fatal dhe mbytës.
Kandidati në këtë rast nuk është aspak fajtor ashtu si nuk është edhe departamenti i burimeve njerëzore të kompanisë Y.
Gabimi qëndron në mos-konsultimin me një ekspert karriere pasi kjo lëvizje mund të ishte bërë në një moment të dytë kur kompania Y do të ishte gati për profesionistë të nivelit të kandidatit tonë X.
Të gjitha kompanitë e reja përballen me krizën e burimeve njerëzore dhe afateve të ngushta për të ndërtuar organogramat.
Këto kompani maturohen duke u përballur fillimisht edhe me rekrutime të dështuara, dhe pas kësaj periudhe të vështirë që zakonisht mund të zgjasë gjatë dy viteve të para të krijimit.
Nëse kandidati ynë X do të ishte konsultuar më parë me konsulentin përkatës të karrierës, që padyshim do të kishte një ide më të kthjellet për kompaninë Y dhe stafin që ishte rekrutuar, nuk do guxonte për një mundesi të re në këtë kompani.
Ajo që ndoshta mund t’i kishte sugjeruar do të ishte që kandidati X të priste deri në momentin që kompania Y të strukturohej mirë dhe në këtë moment kandidati ynë do të kishte një pozicion më të favorshëm dhe më të paguar në këtë kompani të re, dhe kontributi i tij do të ishte më afatgjatë.

Shembujt nga jeta reale janë të shumtë dhe unë jam munduar që sadopak t’ju vijë në ndihmë të gjithë kandidatëve në situata të ngjashme, madje në disa raste çuditshëm për pritshmëritë e tyre i kam ndalur të hedhin hapa të pamenduar dhe më pas ata kanë kuptuar që nuk do kishin vepruar me zgjuarsi në këtë gjueti pune.

Konsulenti i karrierës në këtë treg të vështirë dhe kaotik është i domosdoshem, pasi gjuetia e çdo pune mund të rezultojë një dështim që ka rrjedhimisht pasoja të pallogaritshme në jetët e tyre familjare dhe sociale. Në disa raste këto dështime kanë sjellë pasoja të rënda ekonomike dhe psikologjike për kandidatë të ndryshëm.

Një konsulencë efikase karriere e përmirëson jetën tuaj dhe bën të mundur që ju të keni një punë të sigurtë, të ardhura më të mira dhe rrjedhimisht jetë më cilësore, duke frekuentuar mjekët më të mirë, avokatët më të suksesshëm, parukierët apo stilistët më në emër.
Koncepti i konsulentit të karrierës është inekzistent në tregun tonë të punës, ose në rastin më të mirë është një koncept i gabuar dhe pështjellues.
Për këtë jemi fajtorë të gjithë, punëkërkuesit, punëdhënësit dhe kompanitë e rekrutimit që duke u harruar pas vështirësive të përditshme të punëve të ndara, harrojmë që edhe pse kemi detyra të mirëpërcaktuara, kemi një përgjegjësi "të pashkruar", që është kujdesi ndaj karrierës së kujtdo!

Për tek diskutimet mbi këtë tematikë klikoni http://www.njoftime.com/images/misc/linkedin.gif (http://lnkd.in/_qUf7v)