PDA

View Full Version : Frutat dhe zarzavatet - kimikatet që po na “vrasin”



Lady Albania
02.08.2013, 16:03
Nga: Blerina BOMBAJ


http://www.ladyalbania.al/images/articles_photos/ladyalbania-Frutat-dhe-zarzavatet-kimikatet-qe-po-na-vrasin-001.jpg (http://www.ladyalbania.al/dietat/Frutat-dhe-zarzavatet-kimikatet-qe-po-na-vrasin.la)


Frutat dhe zarzavatet, çelësi i suksesit të natyrës dhe ndikimi i shkëlqyer që kanë mbi shëndetin, po “vriten” çdo ditë e më shumë nga kimikatet. Por si ndikojnë këto të fundit në shëndetin tonë dhe çfarë duhet të bëjmë. Dietologia klinike, Blerina Bombaj shpjegon se cilat janë frutat që kanë ngarkesë më të lartë të pesticideve si edhe ato me ngarkesë më të ulët, dhe ajo çka është më e rëndësishme, se si duhet të ulim ekspozimin tonë ndaj tyre.

A mund të na shpjegoni për lexuesit rreth vlerave të frutave dhe zarzavateve, duke u fokusuar kryesisht te ato që nuk kanë kimikate?
Frutat dhe zarzavatet janë pika më fortë e dietës së rekomanduar sot, sepse janë të pasura në vlera ushqyese dhe, nga ana tjetër, nuk kanë shumë kalori të cilat po merren me tepricë. Gjithashtu, këto ushqime përmbajnë antioksidante që janë jetike për të mbrojtur qelizat tona nga një ambjent tepër toksik që na rrethon tashmë. Por, ashtu sikurse gjithçka në këto kohë moderne, edhe frutat dhe zarzavatet nuk janë lënë pa ndërhyrje, për të rritur sa më shumë prodhimin dhe për të zbukuruar pamjen e tyre.

Çfarë përfshijnë konkretisht këto ndërhyrje?
Ndërhyrje të tilla përfshijnë modifikimin gjenetik të farave (për të rritur rezistencën e tyre ndaj insekteve), përdorimin e fertilizuesve dhe të pesticideve e herbicideve. Këto të fundit përdoren për të eliminuar insektet, por, për fatin tonë të keq, ato depërtojnë në brendësi të shumë frutave dhe zarzavateve dhe me konsumimin e tyre këto kimikate përfundojnë në trupin tonë. Natyrisht që këto substanca janë tepër toksike dhe madje kancerogjene.

Cilat janë frutat apo zarzavatet që kanë ngarkesë më të lartë të pesticideve?
Ndër frutat dhe zarzavatet që kanë më shumë pesticide mund të përmendim si: Pjeshkët, mollët, specat rrumbullake, selino, nektarinat, luleshtydhet, qershitë, sallata jeshile, rrushi, karrotat, dardhët.

Po sa i përket produkteve me ngarkesë më të ulët të pesticideve cilat janë?
Këtu mund të përmendim si: Qepet, avokado, ananasi, pjepri, asparagu, bizelja, kivi, lakra, patëllxhani, bostani, domatja, brokoli, patatja e ëmbël.

Si mund ta ulim ekspozimin tonë ndaj këtyre kimikateve?
Natyrisht që pastrimi dhe larja e kujdesshme e këtyre produkteve e ul sasinë e tyre. Edhe heqja e lëkurës ndihmon në uljen e pesticideve, por asnjëherë nuk eliminohet krejtësisht. Ajo që unë do të këshilloja është që larja të bëhet me ujë të bollshëm dhe duke i fërkuar sa më shumë këto produkte. Nuk do të rekomandoja përdorimin e detergjenteve. Kujdes i veçantë, në sasinë e pesticideve që merren nga ushqimet, duhet të tregohet për fëmijët pasi ata janë shumë më të riskuar nga efektet e dëmshme të tyre.

Cila është zgjidhja?
Zgjidhja është refuzimi i industrializimit dhe preferimi i produkteve "organike" ose ndryshe "bio". Deri tani ky biznes nuk është dukur shumë i suksesshëm pasi kanë kosto të lartë dhe fitim të ulët, megjithatë, pa dyshim është një biznes me të ardhme. Kur flasim për produkte organike, duhet të kemi parasysh zbatimin e disa kritereve tepër të rrepta dhe nganjëherë të pamundura. Këto produkte, pasi kontrollohen rigorozisht, nëse plotësojnë çdo kriter dhe standard të vendosur, certifikohen si "organike" nga institucionet përkatëse që mund të jenë shtetërore ose private. Në Shqipëri dëgjojmë shumë shpesh termin "bio", madje në tregun e madh të fruta-perimeve treçereku i tregtuësve pretendon që produkti i tij është "bio". Në fakt, shumë pak njerëz janë në dijeni se cilat janë të gjitha kriteret që duhet të plotësohen. Këto standarde që përcaktojnë se çfarë duhet dhe çfare nuk duhet të bëjnë fermerët me produktet e tyre shkruhen në qindra faqe të Regjistrit Federal.

CERTIFIKIMI “BIO”

Disa nga rregullat që duhet të plotesojë një produkt që të certifikohet"bio" janë:


Të mos jetë përdorur asnjë lloj pesticidi sintetik, herbicid, fertilizues
Të mos jenë mbjellë fara të modifikuara gjenetikisht, të mos jenë trajtuar produktet me rrezatim
Të jetë mbajtur raportim për gjithçka është përdorur dhe ju është treguar rregullisht inspektoreve për kontrollet përkatëse
Toka të mos jetë përdorur as më parë për mbjellje konvencionale dhe madje edhe tokat përreth
Toka e mbjelljes të jetë larg zonave industriale, aeroporteve dhe rrugëve nacionale




www.ladyalbania.al (http://ladyalbania.al/)

Dashuri dhe përkujdesje për femrat

http://www.ladyalbania.al/css/images/icon_fb_1.png (https://www.facebook.com/ladyalbania) http://www.ladyalbania.al/css/images/icon_tw_1.png (http://www.twitter.com/ladyalbania) http://www.ladyalbania.al/css/images/icon_rss_1 (http://www.ladyalbania.al/ladyalbania-rss.la)