PDA

View Full Version : Studim mbi tregun e punësimit në Shqipëri



EUNACAL
12.06.2012, 12:40
Të dhënat më të fundit nga INSTAT tregojnë se “Numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor në tremujorin e katërt 2011 u rrit me 6.7 përqind krahasuar me tremujorin e katërt të vitit paraardhës” (2012). Këto të dhëna japin një ide mbi prirjet e zhvillimit të tregut të punës duke vendosur krahasimisht treguesit e punësimit në sektorin shtetëror, në atë privat jobujqësor dhe në atë privat bujqësor, por nuk n’a tregojnë asgjë mbi situatën e zhvillimit të karrierës së punëkërkuesve dhe të të punësuarve.

Një studim i Institutit EUNACAL në shkurt 2012, në kuadër të të cilit u intervistuan 4,847 persona në të gjithë vendin, tregon se arsyeja kryesore përse studentët e universiteteve publike dhe private kanë vendosur të ndjekin studimet universitare dhe prindërit e tyre e kanë aspiruar një gjë të tillë për fëmijët e tyre është pikërisht rritja e mundësive të punësimit në të adhmen. I njëjti studim ve në dukje se pjesa dërrmuese e të rinjve që sot ndjekin studimet në shkollë të mesme synojnë që të vijojnë studimet e larta në degët e fushës së ekonomisë, arkitekturës & urbanistikës, informatikës, stomatologjisë dhe drejtësisë. Këto të dhëna e bëjnë edhe më të nevojshëm realizimin e një studimi të tregut të punës i cili të pikasë aftësitë përthithëse të tregut të punës ndaj të diplomuarve të degëve të ndryshme.

Mungesa e të dhënave mbi perceptimet dhe eksperiencën e punëkërkuesve dhe të punësuarve ndaj zhvillimit të karrierës së tyre e bëri të nevojshme që Instituti EUNACAL, Njoftime.com & Market Consulting dhe kompania the HeadHunter të ndërmarrin një studim mbi tregun e punësimit në Shqipëri i cili synon të hulumtojë mbi perceptimet dhe eksperiencat e punëkërkuesve dhe të të punësuarve ndaj lehtësisë së gjetjes së një vendi pune çfarëdo ose në profesionin e tyre, nivelin faktik të pagave neto, vleresimi i punëdhënësve ndaj një sërë karakteristikave të kompanisë/institucionit ku punojnë si:


a) siguria e vendit të punës
b) paga
c) korrektësia në dhënien e pagës
ç) hapsirat per të siguruar rritje në detyrë
d) hapsirat per të siguruar rritje të pagës
dh) menaxhimi i burimeve njerëzore
e) meritokracia
ë) organizimi i punës
f) eprori direkt
g) drejtuesi i kompanisë/ institucionit


Gjithashtu studimi synon të matë nivelin e të punësuarve që punojnë në profesionin e tyre dhe jashtë profesionit të tyre, prirja për të ndërruar punë dhe arsyet që shtyjnë në synime të tilla, koha e shpenzuar në kërkim të një pune dhe perceptimet e punëkërkuesve dhe punëmarrësve ndaj kompanive të rekrutimit në Shqipëri.

Pyetësori i studimit gjendet online dhe mund të plotësohet lehtësisht nga kushdo. Nëse jeni i interesuar të plotësoni pyetësorin online të këtij studimi mjafton të shkoni në http://www.eunacal.org/studim (http://www.eunacal.org/studim/index.php?sid=17286&lang=sq).

Përgjigjet e dhëna janë tërësisht konfidenciale dhe rezultatet e këtij studimi do publikohen në fund të muajit Prill 2012 në www.eunacal.org (http://www.eunacal.org).

Referencat
INSTAT. (2012). Forcat e punës tremujori i katërt 2011. Tiranë: Retrieved from http://www.instat.gov.al